Fernando Alonso është munduar të ruajë qetësinë ndonëse është kaluar në renditjen e botërorit të Formula 1 nga Sebastian Vetel. Spanjolli i Ferrarit është munduar të shpjegojë disi situatën aktuale dhe shpresat që tashmë në makinë të bëhen ndryshime të rëndësishme që do ta ndihmojnë në luftën për titull.
“Ka 5-6 gara në të cilat unë nuk kam parë zhvillime të ndjeshme në makinën tonë. Sytë e të gjithëve janë drejtuar nga Ferrari dhe shtypi vazhdon të shkruajë se ka të reja të rëndësishme. Unë për vete them më mirë të presim zhvillimin e provave të lira të të premtes për të parë nëse do të arrijnë rezultate më të mira”, u shpreh piloti pas mbërritjes së tij në Indi ku në fundjavë do të zhvillohet një nga katër garat e fundit të sezonit.
“Le të themi se tani kam humbur avantazhin që më jepte mundësinë të gaboja një herë, por e cilësoj pozitën time mëse të mirë. Sidomos përsa i përket anës psikologjike, aty nuk ka ndryshuar asgjë, pasi jam 6 pikë mbrapa Vetel, por garohet ende për 100 pikë! Ndaj e shoh veten si të barabartë me Vetel përsa i përket mundësive që kemi në luftën për titull, pak gjëra kanë ndryshuar në krahasim me më parë”, shtoi ai.
“Mendoj se në garat e mbetura do të jetë një garë mes “paketave” në total që ofrojnë Ferrari dhe Red Bull. Do të jetë një përzierje mes forcës dhe mundësisë së skuadrës, makinës dhe pilotit. Çdokush do të përdorë pikat e tij të forta për të bërë më të mirën”, shtoi Alonso. (LajmeShqip.com)
Thursday, 25 October 2012 20:15