Sebastian Vetel ktheu dominimin e tij në Çmimin e Madh të Indisë në një tjetër “pole-position” për skuadrën Red Bull, e cila dominoi provat zyrtare duke vendosur të dy pilotët e saj në dy vendet e para.
Që në fillim u pa qartë që kualifikueset do të ishin një duel brenda skuadrës që ka dominuar provat dhe garat e fundit, me Ueber që fillimisht siguroi vendin e parë, por më pas u desh të dorëzohej para shokut të tij të skuadrës që regjistroi xhiron e tij më të shpejtë në 1 minutë e 25.283 sekonda.
Rreshti i dytë në vijën e nisjes i përket dy makinave MekLaren, me Luis Hemilton të tretin e Xhenson Baton të katërtin, një renditje që mund të ndikojë në luftën për titullin kampion. Kjo për shkak të vendit të pestë të Fernando Alonso, i cili do ta ketë shumë më të vështirë të synojë fitoren në pistën indiane. I vetmi ngushëllim për Ferrarin është prova e radhës pozitive e Felipe Masa, i cili regjistroi kohën e 6-të më të shpejtë dhe në garën e nesërme do të shërbejë si një mbrojtës për Alonson.
Vetë spanjolli deklaroi se nuk po lufton vetëm kundër Sebastian Vetel për titullin kampion, por edhe kundër gjenialitetit të Adrian Njuei, projektuesit të makinës Red Bull, i cili ka arritur të bëjë mrekullinë e radhës për ta bërë Vetel të pakapshëm nga kundërshtarët.
“Aktualisht nuk luftojmë vetëm kundër Sebastian, por duhet të them se po luftojmë edhe kundër Njuei, i cili ka arritur të çojë makinat e tij në vendin e parë apo të dytë në katër garat e fundit. Ne na duhet të kalojmë sa më shpejt dy makinat MekLaren dhe të vëmë nën presion pilotët e Red Bull duke pritur një gabim të tyre. Nëse ata nisen dhe shkëputen që në fillim, nuk kemi asnjë shans”, pranoi piloti spanjoll i cili deri pak javë më parë kryesonte i shkëputur renditjen e botërorit por tani ndjek Vetel me 6 pikë diferencë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 27 October 2012 14:32