Dani Pedrosa ka mbajtur gjallë shanset e tij për titullin kampion në MotoGP duke mundur Horge Lorenco në pistën e Motegi.
Fitorja e katërt në pesë garat e fundit e ka afruar Pedrosan në 28 pikë diferencë ndaj pilotit të Jamahas, ndonëse për të përmbysur këtë diferencë kur kanë mbetur vetëm 3 gara deri në fundin e këtij sezoni do t’i nevojitej një gabim shumë i rëndë i Lorenco.
Në një duel të parë shpesh në garat e fundit, Lorenco mori kryesimin në fillim të garës, por më pas ishte Pedrosa që e kaloi kur mbeteshin 13 xhiro nga fundi, duke krijuar menjëherë një distancë sigurie për të shkuar i vetëm drejt finishit.
Ndërkohë, Alvaro Bautista ka arritur të marrë një vend të tretë të shkëlqyer pas një beteje të jashtëzakonshme me Kal Kraçlou, ku dy pilotët ndryshuan shpesh pozicionet duke patur edhe kontakte mes tyre. Në fund fitimtar doli spanjolli edhe për faktin se kundërshtari i tij mbeti pa karburant në xhiron e fundit të garës dhe u desh të tërhiqej.
Vendi i katërt i shkoi Andrea Doviciozo, ndërsa Kejsi Stoner mori vetëm vendin e pestë në garën e parë pas rikthimit për shkak dëmtimi. Vendi i gjashtë i shkoi Stefan Bradl, ndërsa Valentino Rosi zhvilloi një tjetër garë zhgënjyese, duke i dalë i shtati vetëm falë tërheqjes së Kraçlou e Spis. (LajmeShqip.com)
Renditja e kampionatit MotoGP
310 Horge Lorenco
282 Dani Pedrosa
197 Kejsi Stoner
192 Andrea Doviciozo
144 Alvaro Bautista
137 Valentino Rosi
135 Kal Kraçlou
125 Stefan Bradl
101 Niki Hejden
88 Ben Spis
70 Hektor Barbera
Sunday, 14 October 2012 08:01