Horge Lorenco dhe Dani Pedrosa kanë dhuruar një duel spektakolar në pistën e Motegi, duke i paraprirë një gare të ndezur me rekorde të njëpasnjëshme në provat zyrtare.
Spanjolli i Hondës arriti të vendoste rekordin e pistës në xhiron e tij të fundit, duke dhënë kohën 1 minutë e 44.969 sekonda, për të marrë pole-position të 6-të në këtë sezon dhe për të treguar se dëshiron të ruajë kryesimin ndaj rivalit të tij kryesor në luftën për titull.
Të gjithë mendonin se do të ishte Pedrosa që do të merrte pole-position, pasi kishte dominuar provat zyrtare dhe kishte qenë ai i që kishte thyer rekordin e mëparshëm të pistës, por as ai nuk mundtë bënte asgjë përballë xhiros perfekte të Lorencos, që u bë i pari pilot në historinë e kësaj gare që zbret nën kohën 1 minutë e 45 sekonda në këtë pistë.
Pas dy pretendentëve për titull u rendit Kal Kraçlou me Tek 3 Jamaha, i vetmi pilot që duket në gjendje të rivalizojë me ta në këtë pistë dhe të kërkojë një fitore. Ai la pas krahëve Ben Spis me Jamaha, i cili u rrëzua në xhirot e fundit dhe nuk arriti të përmirësonte kohën e tij. Alvaro Bautista me Gresini Honda regjistroi kohën e 5-të, para Andrea Doviciozos, ndërsa Kejsi Stoner arriti të merrte vetëm vendin e shtatë në nisje në garën e parë që pas aksidentit që e detyroi të mbyllte para kohë ëndrrat për një tjetër fitore të titullit kampion.
Vazhdojnë paraqitjet zhgënjyese të Dukatit, me Valentino Rosin dhe Niki Hejden që kanë siguruar vendin e 9-të dhe të 10-të në këto prova zyrtare. (LajmeShqip.com)
Saturday, 13 October 2012 14:10