Ilir Azemi ka shkruar emrin në librin e historikut të Bundesligës në Gjermani, pasi ka qenë protagonist në golin dhe fitoren e parë për skuadrën e Grojter Furth në Bundesligë. Sulmuesi i aktivizuar si zëvendësues, ka dhënë pasimin për golin e Klaus në fitoren 1-0 të ekipit të tij në transfertë ndaj Mainz.
Pas ndeshjes së parë të humbur në shtëpi me rezultatin 3-0 ndaj Bajern Mynih, shumëkush priste që ekipi ku kapiten është mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, Mërgim Mavraj, të ishte skuadra më e dobët e kampionatit.
Në fakt, taktika e Furth ishte të luhej me kundërsulm, duke ndërtuar një mbrojtje të hekurt ku Mavraj ka qenë protagonist kryesor me ndërhyrjet e tij. Por në minutën e 66-të, dëmtimi i Fall bën që trajneri Buskens të aktivizojë 20 vjeçarin Azemi. Ky i fundit nuk vonon dhe brenda një minutë jep pasimin për golin e vetëm të takimit, të shënuar nga Klaus.
Për këtë paraqitje, Azemi është vlerësuar me notën 2 nga gazeta gjermane “Bild” (nota 1 është më e mira) ndërsa Mavraj ësthë vlerësuar me notën 3 për paraqitjen e tij në prapavijë. Rregullsia me të cilën Azemi po aktivizohet te Furth ka sjellë edhe interesimin në rritje nga FSHF për të veshur sa më parë kuqezi sulmuesin shtatlartë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 01 September 2012 08:01