Një tjetër talent shqiptar duket se ka shpërthyer në kampionatin gjerman të futbollit. Ilir Azemi, 19 vjeçari me origjinë nga Prishtina, është bërë pjesë e skuadrës së parë të Grojter Fyrth dhe ka dhënë prova se së shpejti do të jetë protagonist edhe në ndeshjet e kampionatit.
I aktivizuar deri tani vetëm me ekipin e dytë të Fyrth, Azemi i është bashkuar skuadrës së parë në fazën përgatitore që po zhvillon në Turqi, ndërsa ka qenë protagonist absolut i fitores 4-0 në miqësoren ndaj austriakëve të Admira Vaker.
Azemi ka hyrë në fushën e lojës vetëm në fillimin e pjesë së dytë, kur rezultati ishte ende 0-0, duke u kthyer në rrezikun kryesor për portën austriake. Ai ka qenë autor i dy golave dhe pjesëmarrës në aksionet e dy golave të tjerë.
Kjo paraqitje ka kënaqur trajnerin Buskens, i cili tani e sheh me vëmendje shtatlartin kosovar dhe mendohet që gjatë pjesës së dytë të sezonit ai të jetë pjesë e ekipit të parë duke fituar hapësira edhe në formacion.
Grojter Fyrth aktualisht mban vendin e dytë në renditjen e Bundesligës 2 dhe është ndër kandidatët kryesorë për t’u ngjitur më lart në edicionin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 24 January 2012 22:09