Fitorja e Spanjës në Euro 2012 është festuar gjatë në rrugët e Madridit, ku është bërë një pritje madhështore për skuadrën që siguroi trofeun e tretë brenda katër vitesh. Dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e kryeqytetit spanjoll për të pritur ekipin që ka shëtitur me autobus të hapur drejt shatërvanit të famshëm të Cibeles për të vendosur atje trofeun.
“Nuk mund të përshkruaj me fjalë atë që po përjetojmë në këto momente. Faleminderit shumë!”, ishin falët që Cesk Fabregas hodhi në adresën e tij në Twitter gjatë këtyre festimeve. Më pas, ekipi ka shkuar në një skenë të përgatitur në një nga sheshet qendrore të Madridit, ku është festuar bashkë me tifozët për një kohë të gjatë, ashtu siç është bërë zakon në vitet e fundit me këtë kombëtare.
Para “udhëtimit turistik” mes qytetit, ekipi u prit nga familja mbretërore në pallatin “La Zarzuela”, ku ishte vetë mbreti Huan Karlos që takoi me radhë futbollistët dhe stafin që kanë ngritur në nivele të paimagjinueshme emrin e Spanjës në futbollin botëror.
Mjafton të kujtosh që spanjollët kanë 20 ndeshje zyrtare pa humbje, 29 ndeshje në Kampionate Evropianë pa humbje (e fundit në vitin 2006), ndërsa kanë në gjirin e tyre lojtarë si Iker Kazijas që ka fituar 100 nga 137 ndeshjet e luajtura me kombëtaren, ku në 79 prej tyre ka mbajtur rrjetën të paprekur. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 July 2012 10:01