Lojtarët italianë kanë pranuar se ndeshja ndaj Spanjës ishte e pamundur për t’u fituar për shkak të diferencave mes dy ekipeve që në fillimin e saj.
“Nuk kishte ndeshje, fatkeqësisht ata ishin shumë më superiore”, janë fjalët e kapitenit italian, Xhixhi Bufon. “Keqardhja për humbjen është relative, pasi kur ndeshesh me një ekip që duket i pathyeshëm, e pranon disfatën më lehtësisht”.
“Ata e stërmerituan të fitonin. Ka shumë keqardhje por erdhëm të lodhur në këtë finale, siç e treguan dëmtimi im dhe i Tiago Motas. Por askush nuk ka arsye të na kritikojë për turneun që zhvilluam”, ishin fjalët e Kielinit, i zëvendësuar pas vetëm 21 minutash lojë.
“Ishte një goditje e rëndë. Është e pranueshme të humbësh një finale por kështu është shumë e rëndë. Ndoshta na mungoi pak karakteri, nuk ishim të vendosur në 100%”, ishte komenti i Bonuçit, një prej lojtarëve më të dëshpëruar që nuk arrinte të ndalte lotët në përfundimin e takimit.
Mesfushori Montolivo mendon se spanjollët në këto nivele janë të jashtëzakonshëm. “Kemi humbur një finale Evropiani 4-0 dhe ka shumë keqardhje. Kur mbetesh me 10 lojtarë gjithçka është e vështirë. Sigurisht ata luajtën në 100% të mundësive të tyre dhe kur Spanja me këto lojtarë luan në 100%, bëhet e vështirë për këdo t’i ndalë”.
“Duhet t’i jepen meritat kundërshtarëve, nuk fitohen rastësisht dy Evropianë dhe një Botëror radhazi. Këtë radhë i ndihmuam edhe ne duke mos luajtur në maksimum, por Spanja e meritoi”, përfundoi mbrojtësi Barzalji, një nga më të mirët në fushë për Italinë. (LajmeShqip.com)
Grupi C
Spanjë-Itali 1-1
63’ Fabregas / 61’ Di Natale
Itali-Kroaci 1-1
39’ Pirlo / 72’ Manxhukiç
Itali-Irlandë 2-0
35’ Kasano, 90’ Baloteli
Çerekfinalet
Angli-Itali 0-0 (2-4 p.)
Gjysmëfinalet
Gjermani-Itali 1-2
90’+2’ (p) Ozil / 20’, 36’ Baloteli
Finalja
Spanjë-Itali 4-0
14’ Silva, 41’ Alba, 84’ Torres, 88’ Mata
Monday, 02 July 2012 08:02