Mishel Platini mendon se me datën 1 korrik në Kiev, ai do të ulet në tribunën e nderit për të parë finalen e Euro 2012 mes Spanjës dhe Gjermanisë. Sipas ish-futbollistit francez, dy skuadrat vazhdojnë të jenë një nivel më lart se të tjerët, sidomos spanjollët.
“Këto dy kombëtare janë favoritet për të shkuar në finale. Spanja ka prej kohësh një stil loje mjaft të veçantë, një sistem loje që i mundëson të evitojë lodhjen e lojtarëve të saj. Nuk kanë asnjë problem në këtë aspekt, pasi ai që vrapon është topi dhe jo ata. Ai që lodhet është topi, jo lojtarët e Spanjës”, deklaroi Platini.
Sipas presidentit të UEFA-s, eliminimi i Holandës është zhgënjyes për shumë persona, por tregon edhe një herë se Kampionati Evropian i futbollit është shumë më i vështirë për t’u fituar se një Kampionat Botëror”.
Ai nuk ka ngurruar të flasë edhe për rritjen e cilësisë së lojës në turne, duke ia atribuuar këtë faktit se 5 gjyqtarët ndihmojnë në rritje e cilësisë së ndeshjes. “Deri tani nuk ka patur ndeshje që janë mbyllur në barazim pa gola. Kjo vjen për faktin se lojtarët e dinë që ka më shumë sy që i vëzhgojnë dhe nuk vonojnë lojën kot, duke rritur cilësinë. Kështu nuk ka më as gola fantazmë”.
Platini, në fund ka theksuar se niveli i lartë i Evropianit nuk do të ulet nga rritja e numrit të skuadrave nga 16 në 24, duke filluar nga edicioni i ardhshëm. “Ideja është të veprojmë si në Botërorin 1982 dhe 1986 që kam luajtur unë, me 24 skuadra. Faza e parë eliminimit direkt me 16 skuadra do të jetë e shkëlqyer”, ka treguar francezi për ndryshimin që hyn në fuqi në aktivitetin që organizohet në vendlindjen e tij pas katër vitesh. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 19 June 2012 16:35