Kapiteni i Anglisë, Stiven Xherard, ka pranuar se ai po merr në konsideratë idenë e tërheqjes së skuadrës nga fusha e lojës gjatë ndeshjeve të Euro 2012 nëse ndaj futbollistëve të përfaqësues angleze do të ketë fyerje raciste.
Shumë figura të njohura kanë nxitur futbollistët anglezë të mos jenë tolerantë ndaj asnjë sjellje diskriminuese, pasi pritet të ketë të tilla në ndeshjet e kësaj skuadre. Mundësia më e madhe do të jetë ajo e një ngjarje të tillë në ndeshjen e fundit të grupit, ku anglezët do të vihen përballë Ukrainës vendase dhe tifozët e këtij ekipi nuk shquhen për tolerancë racore.
“Kemi folur me njëri-tjetrin rreth kësaj çështje. Nëse na ndodh një gjë e tillë, gjëja e parë që do të bëjmë do të jetë të ndalohemi dhe të flasim me gjyqtarin”, tha Xherard, i pyetur nëse do të bojkotohej ndeshja siç kishte sugjeruar Mario Baloteli. Anglezët kanë 8 futbollistë me ngjyrë në radhët e tyre dhe ka patur kërcënime nëpërmjet forumeve të tifozëve ukrainas se ata do të bëheshin objekti fyerjesh raciste.
Ndërkohë, sinjalet e para të shfaqjeve të tilla u panë në stërvitjen e Holandës ku një grup tifozësh imitoi ulërimat e majmunëve, ashtu si edhe në ndeshjen Rusi-Çeki.
Gjatë këtij takimi, mbrojtësi me ngjyrë i skuadrës çeke, Gebre Selasi, u bë objekt fyerjesh raciste nga tifozët rusë, arsye për të cilën UEFA ka hapur edhe një hetim dhe pritet të ndëshkojë Federatën Ruse.
Për të shmangur incidente, Federata Angleze ka dërguar një skuadër tjetër sigurie në Poloni për të mbikëqyrur situatën dhe për të mbrojtur skuadrën nga ndonjë problem i mundshëm. (LajmeShqip.com)
Sunday, 10 June 2012 13:20