Barazimi 2-2 kundër Katanias ka shuar përfundimisht ëndrrat e Ligës së Kampioneve të Romës, por Françesko Toti mendon se Luis Enrike nuk duhet cilësuar fajtor për rrëshqitjen e ekipit. Sipas tij, trajneri spanjoll duhet rikonfirmuar edhe në sezonin e ardhshëm, ndonëse shpesh është i kontestuar nga tifozeria e skuadrës.
“Shpresoj që ai të qëndrojë pasi është një trajner i madh dhe duhet t’i japim kohë. Thuajse të gjithë kanë gabuar në vitin e tyre të parë te Roma. Ai është një person i jashtëzakonshëm që nuk fshihet në situata të vështira dhe ka respekt për ngjyrat e këtij klubi. E gjithë skuadra është përkrah tij dhe jep maksimumin, ai ka një të ardhme të madhe përpara”.
“Kjo pikë nuk na shërben për asgjë. Nuk arritëm të fitonim dhe faji është tërësisht i imi pasi humba 11-metërshin. I marr të gjitha përgjegjësitë si kapiten i skuadrës pasi kështu është më e drejtë”, ishin fjalët e numrit 10 të Romës, i cili ishte autor i dy golave në këtë ndeshje dhe lojtari më i mirë në fushën e lojës.
Ndërkohë, Luis Enrike ka bërë të qartë se nuk ka vendosur ende nëse do të qëndrojë apo do të largohet në fund të sezonit. “Fjalët e kapitenit komentohen vetë. Unë nuk kam vendosur ende se çfarë do të bëj, është një zgjedhje që nuk më lë të fle natën. Dua të jem i drejtë me veten, me skuadrën dhe me klubin”, tha trajneri spanjoll pas përfundimit të ndeshjes. (LajmeShqip.com)
Sunday, 06 May 2012 11:41