Alesandro Del Piero dhe Xhanluixhi Bufon janë dy idhujt e Juventusit dhe ky titull ishte një formë shpagimi pas shumë vitesh vuajtje me një ekip që nuk po shfaqej në lartësinë e duhur. Por pikërisht këto vuajtje janë ato që i vijnë në mendje dy kampionëve pas fitores së titullit me bardhezinjtë.
“Kjo mbrëmje më shpagon për shumë gjëra, duke filluar nga ajo që ka ndodhur në vitin 2006, një epilog i çuditshëm. Pas Serisë B, ky triumf ka një shije të veçantë. Kam dëshirë të kujtoj atë skuadër që ka luajtur në Serinë B dhe të gjithë djemtë që kanë kaluar në këtë ekip që prej asaj periudhe”, ishin fjalët e Del Pieros.
Kjo ka qenë një hakmarrje e vogël edhe për Bufon, të cilin shumë shpesh e kanë kritikuar duke e cilësuar një portier të mbaruar pas problemeve të dy sezoneve të kaluara.
“Pas Botërorit të fituar në vitin 2006, ky është gëzimi më i bukur në karrierë. Kjo skuadër është një shpagim, arsyeja për të cilën qëndrova te Juventus. Nuk mund të largohesha pa fituar asgjë. Që në korrik e kisha kuptuar se mundtë fitonim dhe ia kisha thënë dhe disa prej djemve të Milanit”, shprehet portieri, i cili ashtu si kapiteni nuk ngurron të kujtojë disa nga futbollistët që zbritën bashkë me të në Serinë B.
“Ia dedikoj lojtarëve si Kamoranezi, Trezege, Nedved e Salihamixhiç. Nuk ishte e lehtë të zbrisje në Serinë B pasi kishim fituar Botërorin apo kishim qenë protagonistë, por e bëmë pasi ky klub është historia e futbollit. Duhet të falënderoj edhe skuadrën e Inter, njoh Zanetin dhe shpesh i kam dërguar mesazhe. Këtë radhë i kërkova ndihmë, duke i thënë që të mos bënin shaka”. (LajmeShqip.com)
Monday, 07 May 2012 10:25