Kampioni i botës në fuqi MotoGP, Kejsi Stoner, ka treguar se ai vazhdon të mbetet pretendenti kryesor për titull në këtë edicion, duke fituar Çmimin e Madh të Herez në Spanjë, pikërisht në pistën e preferuar të rivalit të tij më të madh, Horge Lorenco.
Australiani i Hondas dhe spanjolli i Jamahas dueluan me njëri-tjetrin gjatë të gjithë garës, fillimisht në një grup prej katër pilotësh, e më pas të vetëm në xhirot e fundit duke kërkuar të rrëmbenin fitoren.
Stoner këtë radhë nuk pati problemet e Katarit që e detyruan të ngadalësonte në xhirot e fundit. Në të kundërt, ai bëri dy xhiro fantastike në fund për t’iu shkëputur ndjekësit të tij dhe për të marrë këtë fitore të rëndësishme.
Dani Pedroza me Hondan tjetër zyrtare arriti të ngjitej në shkallën e tretë të podiumit, ndërsa e përfundoi garën para Kal Kraçlou me Jamaha Tek 3.
Niki Heiden e filloi mirë garën, duke luftuar për kreun, por me kalimin e xhirove, Dukati i tij nuk arriti të mbante hapin e kryesuesve dhe piloti amerikan u desh të kënaqej me vendin e 8-të, para shokut të skuadrës Valentino Rosi. Ky i fundit nuk u shfaq asnjëherë konkurrues në këtë garë dhe ky ishte pozicioni më i mirë që mbajti që në fillimin e saj, duke konfirmuar se këtë sezon nuk do të jetë mes pretendentëve për titull. (LajmeShqip.com)
RENDITJA PER PILOTË
45 Horge Lorenco-Jamaha
41 Kejsi Stoner-Honda
36 Dani Pedroza-Honda
26 Kal Kraçlou-Tek 3 Jamaha
22 Andrea Doviciozo-Tek 3 Jamaha
19 Alvaro Bautista-Gresini Honda
18 Niki Heiden-Dukati
17 Stefan Bradl-LCR Honda
13 Valentino Rosi-Dukati
13 Hektor Barbera-Pramak Dukati
10 Ben Spies-Jamaha
5 Aleiks Espargaro-Aspar Aprilia
4 Kolin Eduards-Suter BMV
3 Danilo Petruçi-Ioda Aprilia
3 Rendi De Punie-Aspar Aprilia
2 Matia Pasini-Spid Master Aprilia
2 Joni Hernandez-Avintia FTR Kauasaki
1 Ivan Silva-Avintia Inmotek-Kauasaki
Sunday, 29 April 2012 18:48