Horge Lorenco ka fituar pole-position në Çmimin e Madh të Spanjës në MotoGP. Në një kualifikuese të ndikuar nga shiu, por me pistën që është tharë në fund, piloti i Jamahas ka regjistruar kohën më të shpejtë 1:39.532, duke arritur t’i bëjë ballë sulmeve të Dani Pedrozës me Honda, i cili regjistroi kohën e dytë më të mirë.
Minutat e fundit të kualifikueseve u kthyen në një duel mes dy spanjollëve, të cilët dëshironin të tregonin se kush ishte superior në garën që zhvillohet në vendlindjen e tyre. Ka qenë fituesi i garës së parë të sezonit, Lorenco, që ka siguruar vendin e parë në vijën e nisjes, por Pedroza ka vërtetuar se këtë sezon do të jetë protagonist, duke qëndruar ngjitur pas tij dhe duke hedhur kandidaturën për një fitore të mundshme në garë.
Në vendin e tretë, në mënyrë të papritur është renditur Niki Heiden, i cili duket se është përshtatur më mirë me kushtet e pistës duke ngjitur kaq lart Dukatin, ndonëse koha e tij më e shpejtë ishte rreth 1 sekondë më e ngadaltë se ajo e dy spanjollëve.
Por i shumëprituri Valentino Rosi ka zhgënjyer përsëri, pasi është renditur vetëm në vendin e 13-të, i kaluar nga të gjithë pilotët e tjerë të Dukatit, edhe ata të skuadrave dytësore. Piloti italian ishte i vetmi që nuk arriti të përshtatej me pistën që thahej duke treguar se ishte përgatitur vetë për një garë me shi.
Faktorë për garën e nesërme pritet te jenë edhe Kraçlou e Stoner, të cilët ishin shumë pranë kohës së Hejden dhe do të synojnë një vend në podium.
Provat zyrtare treguan se në një pistë të lagur, pilotët do të kenë shumë probleme me rrëzimet gjatë garës, siç ndodhi sot me Hernandez, Pirro, Eduards, Kraçlou e Barbera. Ndërkohë, kanë shpëtuar mirë duke qëndruar mbi motor falë manovrimeve të shpejta Stoner, Rosi e Bautista. (LajmeShqip.com)
Saturday, 28 April 2012 17:04