Kristiano Ronaldo është i bindur se titulli kampion i Spanjës do të jetë i Real Madrid, ndonëse diferenca me Barcelonën është vetëm 6 pikë.
“Vazhdoj me besimin se do ta fitojmë kampionatin, as nuk më shkon ndër mend se mund ta humbasim atë! Jemi të pozicionuar mirë në kryesim, duke ruajtur një distancë me ndjekësit, mbeten ende shumë ndeshje, ndaj duhet të ecim me iluzionin se kemi për ta fituar titullin”.
“Ashtu siç e thashë para ndeshjes me Osasunën, kjo ishte një tjetër sfidë. Na mbeten 8 ndeshje dhe e dimë që duhet t’i fitojmë pasi Barcelona na ndjek nga afër”, u shpreh autori i dy golave në fitoren 5-1 të madrilenëve.
“E dinim që do të ishte një ndeshje e komplikuar dhe që Osasuna ishte e vështirë në fushën e saj por luajtëm mirë dhe hymë në fushë me besim që në fillimin e sfidës. Fituam, që është edhe objektivi kryesor. Këtë vit gjërat po ecin ashtu siç duhet për të gjithë. Unë jam shumë i lumtur, pasi skuadra ka fituar dhe kemi realizuar objektivat që i kemi vënë vetes deri tani. Ajo që ndodhi një vit më parë ka kaluar, këtë vit jemi shumë mirë”, tha golashënuesi më i mirë i kampionatit spanjoll me 37 gola në 29 ndeshje.
Lojtari ka pranuar se nuk i ka vënë vetes asnjë objektiv për golat që do të shënojë këtë sezon, ndërsa ka bërë të qartë se me këtë përbërje, Reali mund të synojë edhe Ligën e Kampioneve. “Numri i golave? Do të shënoj aq sa të më lejojnë kundërshtarët. Jam shumë i kënaqur pasi gjërat po ecin mirë dhe duhet të falënderoj shokët e skuadrës për këtë. Me këtë ekip spektakolar, duhet të vazhdojmë në të njëjtën rrugë deri në fund, edhe në Ligën e Kampioneve”, u shpreh Kristiano Ronaldo. (LajmeShqip.com)
Sunday, 01 April 2012 08:06