Pep Guardiola ka vlerësuar maksimalisht paraqitjen e Atletik Bilbaos ndaj ekipi të tij, ndonëse ekipi i drejtuar nga Marcelo Bielsa u mund 2-0 në “Kamp Nou” nga Barcelona.
“Lojtarët e Atletik Bilbaos na dhanë një leksion, pasi na kanë vënë në vështirësi të mëdha ndonëse kishin luajtur një sfidë shumë kërkuese si ajo e mesjavës në Gjermani. Fatmirësisht, kemi qenë në lartësinë e kërkuar në lojën mbrojtëse siç nuk ndodhte prej kohësh”.
“Nga të gjitha ndeshjet që na kanë mbetur në kampionat, kjo ishte ajo më e komplikuara nga të gjitha. Tani mendoj se finalja e Kupës së Mbretit do të jetë shumë e bukur. Atletik Bilbao të çon në limit, lojtarët e mi u përgjigjën mirë por theksoj se Atletik na dha një leksion: me dëshirë dhe mendje mund të arrihet gjithçka! Janë të jashtëzakonshëm, pasi janë 11 vetë që mbajnë topin dhe po 11 vetë sulmojnë”.
Ai ka lavdëruar Havier Maskeranon, i kthyer në një pikë kyçe në prapavijën e Barcelonës, si një qendërmbrojtës i mirëfilltë, ndonëse u ble nga Liverpuli me idenë për të luajtur në mesfushën e katalanasve. “Maskerano po na jep shumë, niveli i tij është i paimagjinueshëm. Klubi ka siguruar një lojtar të cilin unë si trajner nuk do ta ndërroja asnjëherë dhe nuk do ta shisja kurrë. Për më tepër për atë që jep si person, është një blerje e rrallë”.
Në fund, një koment i vogël edhe për fitoren e thellë të Realit ndaj Osasunës, me madrilenët që kapën kuotën e 100 golave të shënuar në kampionat. “Reali i Madridit nuk më çudit, ka gjithë vitin që shënon shumë gola”, u shpreh trajneri i Barcelonës. (LajmeShqip.com)
Sunday, 01 April 2012 09:42