Mesfushori i Çelsit, Frenk Lampard, ka treguar tronditur ambientin e skuadrës londineze me një deklaratë që nuk do të kënaqë drejtuesit dhe tifozët në ditën kur ekipi përballet me Benfikën në Ligën e Kampioneve.
“Rezultatet dhe vendi që mbajmë në tabelë nuk gënjejnë – nuk jemi aq të mirë sa ishim mësuar të jemi. Ne kishim një fortesë këtu, por për arsye të ndryshme nuk arrijmë të përsëritim atë formë. E dinim që derbi ndaj Totenhem është i vështirë. Por unë mendoj se nuk ishim mjaftueshëm të fortë ndaj tyre. Duhej të luanim si ndaj Napolit”, tha mesfushori për televizionin e klubit.
Sipas tij, skuadra duhet të bëjë maksimumin për t’u ngjitur mes 4 më të mirave në kampionat, aty ku ka përfunduar 9 sezonet e fundit radhazi. “Çelsi duhet të jetë mes katër më të mirave. Nuk dua t’i mungoj në respekt 5 klubeve të tjera në vendet e para por ne e meritojmë të jemi aty me aftësitë që kemi. Janë 5 pikë diferencë dhe ka shumë ndeshje për t’u luajtur për të kapur Totenhemin. Por tani duhet të luajmë çdo ndeshje si finale, nuk ka më vend për gabime”, tha ai.
Edhe trajneri Di Mateo është detyruar të pranojë se mesfushori kishte pjesërisht të drejtë. “Statistikat e tregojnë, ndaj është e vështirë ta refuzosh një gjë të tillë. Por jemi në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve dhe në gjysmëfinalen e Kupës FA. Ka ende ndeshje deri në fund të sezonit dhe mund të kthejmë gjithçka në favorin tonë”. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 27 March 2012 08:37