Fitorja minimale 1-0 ndaj Benfikës në ndeshjen parë çerekfinale të Ligës së Kampioneve nuk ka qetësuar Roberto Di Mateon, i cili insiston se sfida është e hapur dhe se ekipi portugez mund të përmbysë gjithçka në ndeshjen e kthimit.
“Kemi vënë veten në një pozicion komod, por ky nuk është një rezultat tek i cili mund të mbështetesh pasi është vetëm një gol. Nëse sheh rezultatet e tyre në Ligën e Kampioneve, nuk është se fle i qetë pas këtij rezultati”, tha ai.
Di Mateo çuditi të gjithë duke lënë jashtë formacionit shumë nga titullarët si Lampard, Drogba e Kahill, për t’i bërë vend Torres, Kalu e Ferreira, me këtë të fundit që luajti ndeshjen e tij të 6-të në këtë sezon.
“Është thjesht çështje freskimi e skuadrës. E dinim që Benfika luante me një ritëm të lartë dhe zgjodhëm lojtarë të freskët të cilët mund të vraponin. Po përdor rotacionin pasi na nevojitet çdo lojtar në këtë fund sezoni. Nuk mund të luajmë vetëm me 11 lojtarë”, tha ai.
Nga ana tjetër, trajneri i Benfikës, Horge Hezus, ka qenë shumë i pakënaqur me rezultatin e kësaj ndeshje. “Ishim superior ndaj Çelsit, por ata thjesht patën fat në një moment të vetëm. Nuk e meritonim të mundeshim, krijuam më shumë raste por në fund ishte Çelsi që mori rezultatin”, ishte zhgënjimi i tij. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 28 March 2012 08:53