Juventus konfirmon dominimin në ndeshjet direkte ndaj skuadrave më të forta në Itali, duke mundur 2-0 Interin për të mbetur në distancë prej 4 pikësh në luftën për titull pas Milanit. Bardhezinjtë kanë triumfuar përballë zikaltërve pas një ndeshje entuziazmuese, ashtu siç ka qenë gjithmonë i ashtuquajturi “Derbi i Italisë”.
Dy skuadrat e fillojnë takimin si të barabarta, me vendasit që rrezikojnë me Pepen e Matrin, ndërsa Inter që kundërpërgjigjet me Militon, por Bufon e Xhulio Sezar shpëtojnë portat respektive. Me kalimin e minutave, frenat e lojës i merr në dorë Juventus por rastet i krijon Inter. Forlan, Milito dhe Obi provojnë në të gjitha mënyrat të kalojnë Bufon por gardiani i bardhezinjve duket qartë që është kthyer në formën që i ka dhënë famën e portierit më të mirë në botë. Si rrjedhojë, pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura.
Konte vendos të ndryshojë diçka pak minuta pas fillimit pjesë së dytë dhe gjen personin e duhur për të shtyrë skuadrën drejt fitores, Alesandro Del Pieron, i cili hyn në fushë në vend të Matrit. Sulmuesi bëhet protagonist duke i dhënë një pasim të artë Markizios, i cili godet në kuadrat por Xhulio Sezar devijon në goditje nga këndi. Në zhvillimin e saj, mbrojtja e Interit harron krejtësisht të lirë Kaceres, i cili nuk e ka të vështirë të shënojë me një gjuajtje me kokë.
Goditja është shumë e rëndë për Interin dhe Juventusi përfiton, falë Del Pieros, i cili fillimisht nxjerr të vetëm para porte Vuçiniç, me malazezin që gjuan topin në këmbët e Xhulio Sezar. Atëherë idhulli i tifozëve të Juventusit vendos të mbyllë vetë ndeshjen me një diagonale në minutën e 70-të, duke shënuar një gol si në kohët e tij më të mira për të ngritur në këmbë të gjithë “Juventus Stadium”.
Duartrokitjet e publikut vendas shoqërojnë ekipin deri në vërshëllimën finale që siglon edhe një herë një sezon të jashtëzakonshëm për bardhezinjtë dhe një vit për t’u harruar të Interit, që tashmë ka rënë në vendin e 8-të në renditje, i kapërcyer edhe nga Katania. (LajmeShqip.com)
Sunday, 25 March 2012 22:15