Çfarë do të bëjë Del Piero pas përfundimit të këtij sezoni? Kjo është pyetja që të gjithë tifozët e Juventusit i bëjnë vetes dhe lojtarit në fjalë, i cili brenda një jave ka gjetur dy herë rrugën e rrjetës duke udhëhequr skuadrën e tij në suksese të rëndësishme ndaj Milanit e Interit.
Festimi i golit ndaj zikaltërve ishte një nga momentet e rralla ku Del Piero shprehu të gjitha emocionet e tij në një sezon të cilin e ka ndjekur kryesisht nga pankina pa protestuar asnjëherë. “Festimi i golit? Përfaqësonte rëndësinë që kishte kjo ndeshje”, ka shpjeguar ai pas takimit.
“E ardhmja? Nuk dua të humb asnjë moment nga kjo aventurë, po bëjmë maksimumin për t’i qëndruar afër Milanit. Do të ketë kohë mjaftueshëm për të menduar rreth të ardhmes. Atë që duhej të bëja një vit më parë, e kam realizuar, tani thjesht dua t’i gëzohem kësaj nate”, ishin fjalët e kapitenit pas ndeshjes duke mos treguar nëse po mendon të vazhdojë të luajë në Evropë, SHBA apo Azi.
Edhe trajneri Antonio Konte ka folur me superlativa për ish-shokun e tij të skuadrës. “Për mua, ai dhe Bufon janë një vlerë e shtuar e skuadrës, në këto momente ndjehet mirë dhe për këtë arsye e aktivizoj”.
“Kur ka topin në këmbë, është e vështirë që të mos konkretizojë. Flas me të shpesh dhe kemi një raport të hapur, të dy mendojmë për të tashmen që është gjëja më e rëndësishme për Juventusin”, ishin fjalët e trajnerit të bardhezinjve për numrin 10 të skuadrës së tij. (LajmeShqip.com)
Monday, 26 March 2012 08:47