Golashënuesi rekordmen i Barcelonës, Lionel Mesi, nuk e ka fshehur kënaqësinë që arriti të kalonte Sezar Rodriguez duke u bërë ai tashmë i pari në listën e golashënuesve, një arritje e jashtëzakonshme të cilën ai ka treguar se as nuk e kishte imagjinuar ndonjëherë në fillimet e tij.
Duke folur për herë të parë pas këtij suksesi individual historik, 24 vjeçari që ka shënuar 234 herë në 314 ndeshje zyrtare me katalanasit, ka insistuar se i dukej e pabesueshme që kishte këtë status të ri në klubin katalanas.
“E vërteta është se jam mëse i kënaqur. As nuk e kisha ëndërrua ndonjëherë se do të bëhesha golashënuesi më i mirë i Barcelonës”, tha ai në një intervistë të publikuar në revistën argjentinase “Ole”.
“Nuk di të them nëse ky ishte goli më i bukur për mua. Kur përfundon ndeshja, goli i parë që shënova për Barcelonën, ashtu si i fundit e ashtu si të gjithë të tjerët, janë të gjithë shumë të veçantë për mua”.
“Kam dashur gjithmonë të shpagoj Barcelonën për gjithçka që katalanasit kanë bërë për mua. Jam shumë krenar që jam bërë pjesë e historisë së klubit. Nuk do ta kisha arritur këtë objektiv pa ndihmën e shokëve të skuadrës. Jam i kënaqur që edhe njerëzit në Argjentinë janë të lumtur për arritjen time”, tregoi argjentinasi në intervistën e tij të parë që pas arritjes së këtij rekordi historik. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 March 2012 20:07