Barazimi 1-1 në fushën e Vijarealit ka lënë një shije të hidhur te Reali i Madridit, por edhe pasoja shumë të rënda sportive. Pak orë pas ndeshjes, është mësuar se edhe Pepe i është bashkuar madrilenëve të ndëshkuar me karton të kuq, pasi ka fyer rëndë gjyqtarin e ndeshjes, ndërsa edhe Kristiano Ronaldo mund të përballet me pasoja për fjalët që ka thënë në fushë kundër “xhaketës së zezë”.
Raporti i gjyqtarit tregon se mbrojtësi e ka sulmuar në tunelin e dhomave të zhveshjeve dhe më pas e ka sharë publikisht. “Ik q.. bir k..”, është mesazhi i kuptueshëm që mbrojtësi portugez i ka kaluar gjyqtarit. Ky mesazh ka qenë i njëjtë me atë që ka ulëritur Zhoze Murinjo disa herë pas pësimit të golit të barazimit, por gjyqtari ka preferuar të shkruajë në raport vetëm që ka ndëshkuar dy herë me të verdhë trajnerin për protesta dhe jo sepse e ka fyer. Në këtë mënyrë, Murinjo ka shpëtuar nga një dënim më i rëndë disiplinor, duke qenë se është përsëritës për gjeste të tilla, si asistenti i tij Rui Faria i cili në ndeshjen e mbrëmshme është ndëshkuar për të katërtën herë me karton të kuq brenda 4 muajve.
Ndërkohë, pamjet filmike kanë treguar që edhe Kristiano Ronaldo ka akuzuar në fushë gjyqtarin për qëndrim të njëanshëm dhe mund të përballet me dënim disiplinor nga Federata Spanjolle. “Vetëm vidhni, vetëm vidhni, vidhni”, janë fjalët e CR7 pas golit të barazimit.
Por në një situatë ku madrilenët ndjehen të “vjedhur” nga gjyqtari, specialistët dhe media e mendojnë ndryshe. Pasi Murinjo ka vendosur heshtjen për shtyp pas ndeshjes, të gjithë kanë sulmuar teknikun portugez duke e cilësuar si shkaktarin kryesor të kësaj rënie. Sipas edhe vetë gazetave të Madridit, “As” e “Marca”, trajneri nuk ka përgatitur lojtarët psikologjikisht për një rezultat jo të favorshëm pas 11 fitoresh radhazi dhe kjo është parë qartë me nervozizmin e futbollistëve në fushë.
Për më tepër, ai etiketohet si “qaraman” për ankesat ndaj gjyqtarëve në një periudhë kur ata e kanë favorizuar dukshëm ekipin e tij, ashtu siç ndodhi edhe kundër Vijarealit të cilit i mohuan një penallti si dhe falën Diarra nga kartoni i kuq që në pjesën e parë të ndeshjes. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 March 2012 10:44