Ndeshjet e kthimit të 1/16 të Europa League kanë dhuruar rezultate surprizë dhe eliminime të bujshme. Pas largimit nga ky turne të Mançester Junajtid, radhën e ka patur edhe skuadra e tjetër e këtij qyteti anglez, Mançester Siti. Ekipi i drejtuar nga Roberto Mançini ka fituar 3-2 ndeshjen e kthimit përballë Sporting Lisbonës por është eliminuar falë rregullit të golit në fushën kundërshtare.
Ndërkohë, Valencia dhe Atletiko Madrid kanë vazhduar qetësisht rrugën e tyre drejt çerekfinaleve të turneut duke hedhur kandidaturën për fitoren e Europa League. Valencia ka barazuar 1-1 në fushën e PSV pasi kishte fituar 4-2 takimin e parë, ndërsa Atletiko Madrid ka fituar në transfertë përballë Beshiktash me rezultatin 3-0, pa vënë asnjëherë në diskutim kualifikimin.
Një rezultat surprizë ka qenë eliminimi i Udinezes përballë AZ Alkmar. Ekipi italian ka shënuar dy gola të shpejtë dhe ka qenë në epërsi numerikë që në minutën e 3-të të takimit për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Viergever nga ekipi holandez. Por një gol i Falkenburg i ka mjaftuar AZ Alkmar për të sigurua përfundimisht kualifikimin e mëtejshëm në këtë turne pasi kishin fituar 2-0 takimin e parë në shtëpi.
Rezultat i pritshëm ka qenë fitorja e thellë 4-1 e Shalkes ndaj Tuente ku protagonist i ndeshjes ishte Jan Klas Huntelar me 3 golat e tij që kanë siguruar kualifikimin për ekipin gjerman. Edhe ekipi tjetër gjerman, Hanover, është kualifikuar pasi ka fituar 4-0 në ndeshjen përballë Standard Liezh, ndërsa në minutat e fundit për këtë skuadër është aktivizuar edhe mesfushori shqiptar Altin Lala.
Surpriza e vërtetë e mbrëmjes ishte eliminimi i Olimpiakosit të Pireut nga ukrainasit e Metalist Karkiv. Ndonëse ekipi grek kishte fituar 1-0 ndeshjen e parë në Ukrainë dhe kryesoi po 1-0 për pjesën më të madhe të takimit, dy gola të shpejtë në minutat e fundit nga Vilagra dhe Deviç i dha kualifikimin e pamenduar Metalist. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Atletik Bilbao-Mançester Junajtid 2-1
Hanover-Standard Liezh 4-0
PSV-Valencia 1-1
Udineze-AZ Alkmar 2-1
Beshiktash-Atletiko Madrid 0-3
Mançester Siti-Sporting Lisbona 3-2
Olimpiakos-Metalist Karkiv 1-2
Shalke-Tuente 4-1
Të kualifikuar
Atletik Bilbao, Hanover, Valencia, AZ Alkmar, Atletiko Madrid, Sporting Lisbona, Metalist Karkiv, Shalke
Thursday, 15 March 2012 23:50