Goli i 27-të sezonal i Uejn Runit ishte një ngushëllim shumë i vogël për Mançester Junajtid që u mund 2-1 nga Atletik Bilbao në ndeshjen e kthimit dhe u eliminua nga Europa League, pasi kishte humbur 3-2 edhe takimin e parë në shtëpi. Spanjollët morën kryesimin e ndeshjes në minutën e 23-të me sulmuesin e kombëtares spanjolle, Fernando Lorente i cili tregoi teknikën e tij perfekte duke shënuar me një gjuajtje fluturimthi. Vendasit humbën edhe shumë raste të tjera derisa Oskar de Markos shënoi golin e dytë për Atletik Bilbao në minutën e 65-të.
Goli i Uejn Runit thjesht shtoi shpresat e skuadrës angleze por asgjë nuk ndryshoi deri në përfundimin e 90 minutave dhe Mançester Junajtid u detyrua t’i jepte lamtumirën turneut duke e pranuar se kundërshtarët e meritonin më shumë kualifikimin.
“Nuk duhet të ankohemi për eliminimin. Në pjesën e parë i dhuruam një gol të lehtë dhe kjo ishte gjëja e fundit që dëshironim. Në fillimin e pjesës së dytë ata luajtën shumë mirë dhe mund të kishin shënuar 2 apo 3 gola të tjerë. Më pas ne luajtëm më mirë, por as që i shkuam afër asaj që duhej bërë për të fituar”, ishin fjalët e trajnerit Aleks Ferguson pas përfundimit të ndeshjes. (LajmeShqip.com)
Thursday, 15 March 2012 21:53