Interi mund të buzëqeshe përsëri. Pas 9 ndeshjesh radhazi ku kishin parë vetëm humbje e barazime, zikaltërit kanë arritur t’i gëzohen një fitoreje që u mungonte që prej 22 janarit. “Viktima” e Interit ka qenë Kievo që është nënshtruar në fushën e saj vetëm në minutat e fundit të një sfidë të luftuar.
Interi dukej sikur do të fitonte lehtësisht këtë ndeshje, pasi arrin të vërë në vështirësi menjëherë ekipin vendas. Lusio fiton penallti në minutën e 14, por Milito gabon nga pika e bardhë, pasi Sorrentino pret gjuajtjen e tij qendrore. Pak minuta më vonë, Shnajder godet traversën, ndërsa gjithë pjesa e parë kalon nën hegjemoninë e Inter.
Edhe pjesa e dytë shfaq të njëjtën tablo, ku zikaltërit janë padronë të lojës, ndërsa vendasit mendojnë më shumë të mbrohen dhe thumbojnë vetëm me kundërsulm. Kur duket se ndeshja po shkon drejt një barazimi, Interi gjen golin falë mbrojtësit Samuel, i cili gjen rrugën e rrjetës pas zhvillimit të një goditje nga këndi në minutën e 88-të. Vetëm 2 minuta më vonë, është Milito që dyfishon avantazhin e Interit pas një pasimi të Zanetit, duke hipotekuar fitoren 2-0 të zikaltërve. Ky sukses është shumë i rëndësishëm për zikatërit, si për renditjen në kampionat, ashtu edhe për moralin para garës së rëndësishme kundër Olimpik Marsejës për Ligën e Kampioneve.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të luajtur sot, Napoli ka fituar 6-3 përballë Kaljarit, në një ndeshje spektakolare për tifozët e pranishëm në stadium. Napoletanët nuk kanë vënë asnjëherë në diskutim suksesin, dukë shënuar me Hamshik e Kanavaro, para se Astori të shënonte në portën e tij për të çuar avantazhin e vendasve në 3-0 që në minutën e 30-të. Larrivei shënon për Kaljarin për të çuar rezultatin në 3-1 para pushimit të ndeshjes, por me kthimin në fushë të skuadrave, historia përsëritet.
Këtë radhë janë Laveci me penallti dhe Gargano që çojnë në 5 numrin e golave për Napolin, ndërsa Larrivei kundërpërgjigjet në minutën e 77-të. Maxho shënon golin e 6-të për ekipin vendas në minutën e 84-t të ndeshjes, por është përsëri Larrivei që shënon për miqtë, duke gjetur golin e tij të tretë personal në këtë sfidë spektakolare.
Tashmë Napoli është me pikë të barabarta me Udinezen në vendin e katërt në renditje dhe është kthyer në një pretendent serioz për vendin e tretë që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)
Friday, 09 March 2012 23:38