Milan ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së titullit kampion pas fitores 2-0 kundër Leçes. Kuqezinjtë e drejtuar nga Alegri kanë arritur të marrin tri pikët dhe të shkëputen në renditje nga Juventusi ndjekës që është ndalur në një barazim pa gola në fushën e Xhenoas.
Për kuqezinjtë, gjithçka ka qenë tepër e thjeshtë edhe për faktin që kanë gjetur shumë shpejt golin e avantazhit me anë të Noçerinos, i kthyer në një golashënues të mirëfilltë falë skemave të Alegrit. Mesfushori gjeti golin e tij të 9-të në kampionat, duke i hapur rrugën suksesit të vulosur në pjesën e dytë nga goli i 19-të i Zlatan Ibrahimoviç, që në këtë mënyrë është ngjitur në majën e tabelës së golashënuesve të kampionatit italian.
Ndërkohë, Juventus është ndalur në një barazim pa gola përballë Xhenoas dhe ka humbur hapin e kreut, duke mbetur 4 pikë pas Milanit falë 4 barazimeve radhazi që ka marrë në katër javët e fundit të kampionatit. Bardhezinjtë kanë qenë edhe të pafat përballë vendasve, pasi fillimisht Vuçiniç e pastaj Pepe kanë goditur shtyllën e portës së mbrojtur nga Frei. Pas golit të radhës të anuluar për pozicion jashtë loje, klubi bardhezi ka vendosur heshtjen për shtyp, shenjë e qartë që tashmë ekipi i drejtuar nga Antonio Konte po kalon një moment të rëndë tensioni.
Personazhi më i spikatur i javëve të fundit në kampionatin italian është Erion Bogdani, i cili me lojën dhe golat e tij po arrin të shpëtojë Sienën nga rënia në Serinë B. Sulmuesi shqiptar ka qenë protagonisti absolut i fitores 2-0 të Sienës në fushën e ish-skuadrës së tij, Çezenës, pasi ka përgatitur golin e avantazhit për ekipin e tij, ndërsa ka mbyllur ndeshjen me golin e dytë. Bogdani ka shënuar 3 gola në katër ndeshje me Sienën, duke u kthyer kësisoj në sulmuesin më në formë në qarkullim. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Katania-Fiorentina 1-0
Xhenoa-Juventus 0-0
Milan-Leçe 2-0
Atalanta-Parma 1-1
Çezena-Siena 0-2
Renditja
Milan 57, Juventus 53, Lacio 48, Udineze 46, Napoli 46, Roma 41, Inter 40, Katania 38, Kievo 34, Palermo 34, Fiorentina 32, Bolonja 32, Atalanta 33, Xhenoa 33, Siena 32, Kaljari 31, Parma 31, Leçe 25, Çezena 17, Novara 17.
Sunday, 11 March 2012 19:34