Rudi Fëler, ish-Kampion Bote me Gjermaninë dhe tani në rolin e drejtorit të përgjithshëm te Bajer Levrkusen, ka parë nga afër se si Mesi shpërbeu ekipin e tij në ndeshjen e Ligës së Kampioneve. Për këtë arsye, legjenda e futbollit gjerman nuk ngurron të bëjë një krahasim mes argjentinasit dhe dy legjendave të futbollit botëror, Maradona e Pele.
“Nuk është vetëm për pesë golat që na shënoi sot, ai ka vite që tregon këtë nivel. Ai tashmë është në të njëjtin nivel me Pele dhe Maradonën”, tha gjermani që kundër “Pibe D’Oro” ka luajtur në finalet e Botërorëve 1986 dhe 1990.
Që pas natës së mbrëmshme, Lionel Mesi ka marrë një tjetër nofkë që është shfaqur në faqet e para të të gjitha gazetave spanjolle, “Manita de Dios”, duke bërë lojë fjalësh me pesë golat e tij dhe nofkën “Dora e Zotit” që iu vu golit të Maradonës përballë Anglisë.
Por Paolo Rosi, një lojtar që e njeh mirë Maradonën pasi ka luajtur shpesh kundër tij, është i bindur se Mesi është më i mirë se ish-rivali i tij në kampionatin italian dhe me kombëtaren.
“Ndoshta mund të cilësohet herezi por sipas meje, Mesi mund të cilësohet më i mirë se Maradona. Diego kishte goditje të ndryshme, ishte një gjeni, shpikte lëvizje e veprime, por në nivelin realizues Mesi është i pabesueshëm. Sigurisht që duhet të plotësojë udhëtimin e tij duke fituar me kombëtaren por jam i bindur se ka shumë kohë në dispozicion për ta bërë një gjë të tillë”, tha ish-kampioni i Botës me Italinë në vitin 1982.
Por vetë Mesi vazhdon të shfaqet modest në deklaratat e tij. “Është gjithmonë bukur kur shënon 5 gola, por tani për tani, për ne ishte e rëndësishme të kalonim turin pasi në këtë pikë çdo ndeshje ka vështirësinë e saj. Duam të fitojmë përsëri Ligën e Kampioneve dhe Kupën e Mbretit, ndërsa në kampionat do të luftojmë deri në fund”, ishin fjalët e argjentinasit i cili është larguar nga fusha e “Kamp Nou” duke marrë si dhuratë topin e ndeshjes. (LajmeShqip.com)
Thursday, 08 March 2012 10:37