Nuk ka më fjalë për të përshkruar Lionel Mesin, i cili vazhdon e mahnit gjithnjë e më shumë me bëmat e tij në fushën e blertë. Ndonëse në një moshë të re, ai vazhdon të regjistrojë rekorde pas rekordeve, disa prej tyre shumë të rrallë, si ai i regjistruar në fitoren e thellë 7-1 të Barcelonës ndaj Bajer Leverkusen.
Mesi ka qenë i papërmbajtshëm para portës kundërshtare, duke dhuruar perla të njëpasnjëshme të repertorit të tij, duke gjetur 5 herë rrugën e rrjetës në këtë sfidë, si askush tjetër para tij në këtë turne. Loja spektakolare e katalanasve është kurorëzuar me paraqitjen e jashtëzakonshme të “Topit të Artë” të trefishtë, i cili ka hedhur kandidaturën edhe për një të katërt, ndërsa bën që ekipi i tij të vazhdojë të jetë pretendenti kryesor për fitimin e Ligës së Kampioneve.
Në këtë natë magjike për Mesin ka festuar edhe i riu Tejo, i cili ka shënuar dy gola në portën e gjermanëve, që largohen të turpëruar nga Spanja dhe nga ky kompeticion, ku do të kujtohen gjithmonë për magjitë e Mesit dhe dëshirën e lojtarëve të kësaj skuadre për të patur fanellën e tij. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 07 March 2012 23:17