Një gol i Militos 10 minuta para fundit të takimit i ka dhënë mundësinë Interit të dalë të paktën me një pikë nga ndeshja me Katanian pas barazimit 2-2. Zikaltërit e Ranierit çojnë në 7 numrin e takimeve radhazi pa fitore (5 humbje e 2 barazime), ndërsa janë në vendin e 7-të në renditjen e kampionatit.
Katania bën gjithçka mirë në “San Siro” duke kaluar në avantazh që në minutën e 20-të me Gomez, ndërsa në minutën e 38-të Izko dyfishon shifrat në një aksion të nisur në pozicion jashtë loje. Zikaltërit duken thuajse të dorëzuar dhe kontestohen edhe nga publiku në shkallët e stadiumit.
Por atëherë kur ndeshja dukej thuajse e mbaruar, Forlan ngjall skuadrën e tij me një predhë në minutën e 71-të, duke dërguar topin në rrjetë edhe falë bashkëpunimit të portierit Karrizo i cili gabon në grushtim. Sulmuesi uruguaian është protagonist edhe 10 minuta më vonë kur gjen të lirë Militon, ndërsa ky i fundit nuk gabon duke dërguar topin në rrjetë për barazimin përfundimtar 2-2.
Në takimet e tjera, Lacio ka arritur të fitojë 2-1 derbin ndaj Romës mes polemikave, pasi verdhekuqtë janë penalizuar nga një karton i kuq i dhënë për portierin Stekelenburg që në minutën e 7-të të takimit. Hernanes shënoi me penallti për lacialët, ndërsa Borini barazoi në minutën e 16-të. Por një gol i kapitenit Mauri në minutën e 62-të vulosi takimin, ndonëse baraspesha numrike mes skuadrave në fushë u rivendos në minutën e 86-të kur Skaloni u largua me karton të kuq.
Me këtë sukses, Lacio është ngjitur e vetme në vendin e tretë pasi ka përfituar nga barazimi 0-0 i Udinezes ndaj Atalantës. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Inter-Katania 2-2
Parma-Napoli 1-2
Fiorentina-Çezena 2-0
Leçe-Xhenoa 2-2
Roma-Lacio 1-2
Siena-Kaljari 3-0
Udineze-Atalanta 0-0
Bolonja-Novara 1-0
Renditja
Milan 54, Juventus 51, Lacio 48, Udineze 46, Napoli 43, Roma 38, Inter 37, Palermo 34, Katania 34, Kievo 34, Atalanta 32, Xhenoa 32, Fiorentina 31, Kaljari 31, Bolonja 31, Siena 29, Parma 29, Leçe 25, Novara 17, Çezena 16.
Sunday, 04 March 2012 23:06