Pushimi prej 3 ndeshjesh duket se i ka bërë mirë Zlatan Ibrahimoviç i cili është kthyer më vendimtar se kurrë dhe i uritur për gola. Sulmuesi suedez i Milanit ka qenë protagonist absolut në ndeshjen e fituar 4-0 nga kuqezinjtë në fushën e Palermos, ndërsa ka mbajtur skuadrën në vendin e parë në renditjen e Serisë A.
Ibra ka shënuar golin e avantazhit në minutën e 20-të kur Robinjo e nxjerr të vetëm para portierit kundërshtar, në një pozicion ku suedezi e ka të pamundur të gabojë.
Goli i dytë vjen pas një kundërsulmi të shpejtë të kuqezinjve, ndërsa topi përfundon përsëri në këmbët e Ibrahimoviç i cili me majën e këpucës gjuan dhe 2-0.
Goli i tretë, po nga sulmuesi suedez është një perlë, për mënyrën e ekzekutimit dhe gjenialitetin e Ibrahimoviç që sheh Vivianon jashtë kuadratit dhe e dërgon topin aty ku ky i fundit as nuk provon të arrijë.
Ndeshja duket e mbyllur që në pjesën e parë por vula vjen në pjesën e dytë të ndeshjes, kur Tiago Silva me kokë shënon golin e 4-0, që konfirmon edhe një herë formën që po kalojnë kuqezinjtë në kampionat. (LajmeShqip.com)
Saturday, 03 March 2012 21:36