Juventus nuk arrin më të fitojë dhe merr barazimin e katërt në 5 ndeshjet e fundit duke treguar se ka një rënie të ndjeshme në ritëm. Skuadra e Antonio Kontes këtë radhë është ndalur në shtëpi nga Kievo dhe vazhdon të shfaqë sindromën e çuditshme të transformimit në një ekip të jashtëzakonshëm në ndeshjet e mëdha, por që nuk di të fitojë në takimet me të ashtuquajturat skuadra të vogla.
Gjithçka filloi mirë për bardhezinjtë të cilët në pjesën e parë gjetën golin shumë shpejt me De Çeljen dhe rrezikuan disa herë të tjera portë kundërshtare me Vuçiniç. Por pasaktësia para porte e sulmuesve të Juventus si dhe rreshtimi i Kievos ka bërë që gjithçka të ndryshojë në pjesën e dytë.
Kievo rrezikon disa herë portën e Bufon dhe në minutën e 78-të arrin të gjejë golin me anë të Drame me një gjuajtje nga jashtë zonës që përfundon në këmbët e Bonuçit e pastaj në rrjetë.
Tani Juventus është 3 pikë pas Milanit ndërsa të mërkurën do të ndeshet me Bolonjën për takimin e prapambetur për shkak të dëborës. Bardhezinjtë duhet të fitojnë medoemos nëse duan të mbajnë gjallë shpresat për titullin kampion përballë një Milani që është kthyer përsëri i frikshëm. (LajmeShqip.com)
Saturday, 03 March 2012 23:19