Samir Ujkani ka qenë padyshim lojtari më i mirë në fushë për kombëtaren shqiptare, pasi ka arritur të presë dy 11-metërsha të gjuajtur nga futbollistët e Gjeorgjisë. Portieri ka treguar me siguri se protesta e tij në golin e dytë të gjeorgjianëve ishin për prekje të topit me dorë, ndërsa ka bërë të qartë se gjyqtari ishte ai që kishte gabuar në favor të vendasve.
“Jam shumë i kënaqur me lojën tonë, sidomos atë që bëmë në pjesën e parë. Ne vuajtëm vetëm në 20 minutat e para të pjesës së dytë, pasi Gjeorgjia ushtroi presing të lartë dhe në këtë moment pësuam golin e parë. Goli i dytë i gjeorgjianëve ishte i parregullt. Protestova të gjyqtari pasi lojtari kundërshtar e preku topin me dorë në atë aksion, por ai vazhdoi lojën”.
“Luanim në një fushë të vështirë, ndaj paraqitja e kombëtares në këtë miqësore, në total, duhet konsideruar pozitive. Me De Biazin do të përfitojmë shumë faktikisht”.
“Personalisht, jam i kënaqur që prita dy penallti, edhe pse nuk e evitova humbjen. Po punoj shumë te Novara, ndërsa po mundohem të përparoj edhe me kombëtaren. Në të shkuarën kam bërë ndonjë gabim, por më duhet të fitoj edhe pak eksperiencë”.
“Etrit Berisha në kombëtare? Unë nuk e njoh personalisht, por e di se është një portier shumë i mirë. Ai është i mirëpritur nga unë, sepse të gjithë kemi një qëllim: Të ecim sa më para me kombëtaren! Dhe konkurrenca, edhe në portë, e siguron këtë gjë. Këtu nuk kanë përparësi interesat personalë të miat apo të ndokujt tjetër, por përfaqësimi sa më dinjitoz i Shqipërisë”. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 29 February 2012 20:46