Edgar Çani ka treguar për mediat italiane se si ka qenë grumbullimi i tij i parë me përfaqësuesen shqiptare, ku ka qenë protagonist në ndeshjen kundër Gjeorgjisë me golin e shënuar në minutën e 3-të.
“Ishte bukur të shënoje me fanellën e kombëtares, por fatkeqësisht rezultati nuk ishte pozitiv. Duhet të punojmë shumë, kemi shumë gjëra për të rregulluar edhe si strukturë loje. Konkurrenca me Bogdanin? Na nevojiten të gjithë, për skuadrën dhe për grupin. Është i mirëpritur kushdo që mund të na ndihmojë”.
Më pas, sulmuesi ka folur për trajnerin De Biazi, duke treguar se e sheh të motivuar për të dhënë maksimumin, ndërsa ka zbuluar se tashmë kombëtarja shqiptare e futbollit po përshtatet mjaft mirë me trajnerin italian dhe idetë e tij.
“De Biazi shpjegohet në italisht dhe të gjithë e kuptojnë, ndoshta disa gjëra jo por për këtë kemi përkthyesin. Por mund të them se mirë apo keq e kuptojnë të gjithë, edhe për faktin se në Shqipëri të gjithë shohin televizionet italiane”.
“Trajnerin e shoh shumë të motivuar, por të ndërgjegjshëm që duhet të luftojmë shumë për të arritur kualifikimin. E shoh të bindur dhe me ide të qarta mbi punën që duhet bërë. Më ka lënë një përshtypje të mirë, ka dëshirë që të bëjë një punë të bukur”, ishin fjalët e sulmuesit shqiptar për mediat italiane. (LajmeShqip.com)
Thursday, 01 March 2012 20:50