Zhoze Murinjo nuk ka ngurruar të shprehë hapur admirimin e tij për Kristiano Ronaldon pas takimit të fituar 4-2 ndaj Levantes. Sulmuesi shënoi një tregolësh në këtë sfidë për të shkëputur ekipin e tij 10 pikë nga Barcelona, por Murinjo ka mbetur i mahnitur nga mënyra e shënimit të golit të tretë të lojtarit portugez.
“Goli i Kristiano Ronaldos ishte i pabesueshëm, fantastik dhe besoj se do të bëjë xhiron e botës gjatë javëve të ardhshme. Kjo është ajo që mendon e gjithë skuadra. Ishte goli i 4000-të i shënuar në ”Santiago Bernabeu” dhe ai e meritonte plotësisht”, deklaroi trajneri i cili ka festuar me bashkëkombësin e tij në momentin e shënimit të këtij goli.
Vetë futbollisti ka preferuar që t’ia dedikojë suksesin skuadrës. “Golat vijnë si rezultat i punës së skuadrës. Personalisht po kaloj një formë të mirë dhe dua të vazhdoj kështu. Ajo që më kënaqi më shumë ishte fakti se njerëzit po thërritnin në kor emrin tim”, u shpreh lojtari që gjatë muajit të fundit ka pasur probleme të vazhdueshme me tifozerinë e skuadrës. (LajmeShqip.com)
Monday, 13 February 2012 17:24