Pep Guardiola duket se ka zgjedhur të luftojë për Ligën e Kampioneve dhe t’i dorëzojë kampionatin Realit të Madridit, ose të pakën kështu tregoi formacioni i përzgjedhur nga trajneri për ndeshjen kundër Osasunës të humbur me rezultatin 3-2. Trajner i katalanasve vendosi të lërë pushim treshen e mesfushës Ksavi-Iniesta-Fabregas, për t’i patur të freskët për ndeshjen e Ligës së Kampioneve kundër Leverkusen në mesjavë.
Por këto zgjedhje të trajnerit ndikuan shumë në ndeshje, sidomos duke parë edhe problemet që shfaqën Pike e Pujol. Si rrjedhojë, Lekiç shënoi dy gola ndërsa Raul Garsia shënoi te tretin për Osasunën. Goli i Sançez dhe i të riut Tejo shërbyen për statistike, pasi Barcelona u mund dhe tashmë Reali i Madridit ka mundësinë të çojë distancën mes dy skuadrave në 10 pikë dhe të mbyllë praktikisht kampionatin. Vetë trajneri i katalanasve ka bërë të qartë se mrekullitë do të jenë të pamundura. “Do të shohim distancën të rritet që nga nesër. Do të bëjmë maksimumin tonë por është kampionati që do të flasë vetë”, ishin fjalët e tij pas ndeshjes. (LajmeShqip.com)
Saturday, 11 February 2012 23:44