Reali i Madridit nuk e ka humbur shansin e artë për të mbyllur kampionatin dhe me fitoren 4-2 ndaj Levantes ka arritur të çojë në +10 diferencën me Barcelonën në renditjen e kampionatit.
Për madrilenët ndeshja nuk ka qenë e thjeshtë, pasi janë gjetur menjëherë në disavantazh falë golit të Kabral në minutën e 4-t pas një goditje standarde. Drithërimat në portën e tyre kanë vazhduar edhe për disa minuta të tjera, ndërsa dukej se Levante kishte shkuar për të marrë pikë në “Santiago Bernabeu”. Por sfida ka ndryshuar plotësisht pas minutës së 43-të, kur Iborra shkaktoi penallti dhe u largua nga fusha e lojës me karton të kuq. Nga pika e bardhë Kristiano Ronaldo është i pagabueshëm duke vendosur barazimin.
Me kthimin pas pushimit të ndeshjes, në fushë ka vetëm një skuadër, Realin e Madridit që shfrytëzon më së miri epërsinë numerike. Brenda 11 minutave ndeshja duket e mbyllur, pasi CR7 shënon edhe dy gola të tjerë, duke çuar në 26 totalin e golave të shënuar këtë sezon në kampionat. Kone përpiqet të rihapë ndeshjen por Benzema vulos gjithçka m golin e tij në minutën e 65-të të ndeshjes.
Tashmë madrilenët do të përqendrohen për të ruajtur avantazhin e ndjeshëm që kanë ndaj Barçës, ndërsa mund t’i lejojnë vetes edhe ndonjë hap fals në javët në vazhdim, gjë që ia lejon diferenca prej 10 pikësh në klasifikim. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Espanjol-Saragoza 0-2
Malaga-Majorka 3-1
Rajo Vajekano-Getafe 2-0
Valencia-S. Gijon 4-0
Vijareal-Granada 3-1
Real Madrid-Levante 4-2
Renditja
Real Madrid 58, Barcelona 48, Valencia 40, Levante 32, Espanjol 32, Malaga 31, Atletiko Madrid 31, Osasuna 31, Atletik Bilbao 30, Rajo Vajekano 28, Getafe 27, Sevilja 26, Vijareal 26, Granada 25, Real Sociedad 24, Real Betis 23, Rasing Santander 23, Majorka 22, Sporting Gijon 19, Saragoza 15.
Monday, 13 February 2012 00:00