Totenhem ka humbur mundësinë për t’u bërë protagonist në luftën për titull pasi është mundur 3-2 nga Mançester Siti në një sfidë të vendosur në minutën e fundit shtesë të takimit nga një 11-metërsh. Londinezët shiheshin si rivalët e vetëm të dy skuadrave të Mançesterit por humbja i ka larguar ata 8 pikë nga kreu.
Pjesa e parë e takimit ka qenë e balancuar, ndërsa të dy skuadrat janë përpjekur të mos pësojnë gol. Ndonëse Siti krijon më shumë lojë, e ka të pamundur të çajë mbrojtjen e ngjeshur të Totenhem që mundohet të organizojë kundërsulme të shpejta.
Pjesa e dytë është më e ndezur dhe janë vendasit të cilët arrijnë të rrezikojnë disa herë derisa gjejnë golin e avantazhit me Nasri në minutën e 55-të, falë një pasimi të artë të David Silva. Francezi është protagonist edhe 3 minuta më vonë, kur pas një goditje nga këndi të tij, Leskot shënon golin e dytë për Mançester Sitin.
Ndeshja duket e mbyllur por Totenhem bën të pabesueshmen dhe falë aftësive të Defo e Beil arrin të vërë baraspeshën në shifra brenda 6 minutave për të rihapur sfidën. Totenhem i shkon shumë pranë mrekullisë në minutën e 90-të kur Defo gjuan jashtë një harkim perfekt të Beil. Megjithatë, ëndrra e londinezëve shuhet në minutën e 94-t kur Baloteli, i futur në fushë si zëvendësues, kthen në gol një 11-metërsh të cilin e kishte fituar vetë, duke vulosur fitoren 3-2 të Mançester Sitit që vazhdon i qetë rrugën drejt titullit. (LajmeShqip.com)
Sunday, 22 January 2012 17:19