Mançester Junajtid vazhdon garën në distancë me Mançester Sitin për dominimin në kampionatin anglez. “Djajtë e kuq” kanë mundur 2-1 Arsenalin në fushën e këtyre të fundit, duke konfirmuar krizën e ekipit të Venger që ka pësuar 3 humbje radhazi dhe e sheh veten edhe më larg vendit të katërt që të çon në Ligën e Kampioneve.
Pjesa e parë ka qenë një dominim i skuadrës së drejtuar nga Aleks Ferguson, i cili kishte instruktuar ekipin e tij të kërkonte të vinte sa më shumë nën presion mbrojtjen kundërshtare. Falë dominimit në mbajtjen e topit, në fundin e pjesës së parë vjen edhe avantazhi i merituar i Mançester Junajtid me Valencia, i cili shfrytëzon një harkim perfekt të Gigs nga e majta për të dërguar topin në rrjetë.
Pjesa e dytë fillon nën ritmin e ekipit vendas që kërkon me çdo mënyrë të gjejë rrugën e rrjetës. Van Persi gabon dy herë para portës kundërshtare, para se të shënojë golin e barazimit në minutën e 71-të.
Por entuziazmi i tifozerisë vendase zgjat vetëm 10 minuta pasi Valencia gjen të lirë në zonë Uellbek, i cili nuk e ka të vështirë të dërgojë topin pas krahëve të portierit të Arsenalit. Rezultati nuk ndryshon më dhe Mançester Junajtid i gëzohet fitores 2-1 që e sheh atë të ndjekë hap pas hapi kushërinjtë e Sitit. (LajmeShqip.com)
Renditja
M. Siti 54, M. Junajtid 51, Totenhem 46, Çelsi 41, Arsenal 36, Njukasëll 36, Liverpul 35, Stok 30, Noruiç 29, Sandërlend 27, Aston Vila 27, Fullhem 26, Suonsi 26, Everton 26, Uest Bromuiç 25, QPR 20, Bolton 19, Bllekbërn 18, Ulvërhempton 18, Uigan 15.
Sunday, 22 January 2012 19:30