Fabio Kapelo është trajneri i ri i përfaqësueses ruse të futbollit. Lajmin e ka konfirmuar zëvendëspresidenti i Federatës Ruse, Nikita Smonian, në një konferencë të zhvilluar në Moskë.
“Kemi vendosur të emërojmë Fabio Kapelon si trajnerin e ri të kombëtares së futbollit të vendit tonë. E presim atë në Moskë në ditët e ardhshme që të përcaktojmë detajet e fundit të marrëveshjes dhe të hedhim firmën në kontratë”.
Vetë Kapelo e ka pritur me gëzim lajmin, duke komentuar se ishte gati për këtë aventurë të re në drejtimin e një përfaqësueseje, pas asaj angleze që nuk u mbyll siç shpresonte ai.
“Nëse diskutimet mbyllen në mënyrën më të mirë, do të jem i lumtur dhe krenar të bëj realitet atë që lajmëroi federata ruse. Do të jetë një aventurë e jashtëzakonshme, pasi Rusia është një komb i madh”, tha tekniku italian,
“Po më telefonojnë nga të gjitha anët, jam shumë krenar për këtë emërim”, ishte komenti që ka bërë Kapelo për mediat pas publikimit të deklaratës së krerëve të futbollit rus.
Trajneri italian konfirmoi se kishte si qëllim të shkonte të jetonte në Rusi gjatë kohëzgjatjes së kontratës së tij në këtë vend, ashtu siç ka bërë kur drejtonte Anglinë. (LajmeShqip.com)
Monday, 16 July 2012 15:33