Aleksandre Pato është një lojtar i Korinthians dhe tashmë gjithçka është zyrtarizuar edhe nga klubi brazilian dhe Milani, ish-skuadra e tij. Sulmuesi do të jetë pjesë e fituesve në fuqi të Botërorit të Klubeve, ku do të mbajë fanellën e preferuar me numër 7, sapo të kryejë vizitat mjekësore dhe të hedhë firmën në kontratën katërvjeçare. Nuk bëhet e ditur nëse ekziston një klauzolë për kthimin e tij dhe nuk është mësuar nëse ka përgjysmuar rrogën ekzistuese, siç përflitej pak ditë më parë.
“Në një shitje të mundshme në të ardhmen, klubi brazilian do të përfitojë 60% të të ardhurave, ndërsa vetë lojtari 40%”, është detaji i vetëm i kontratës së re që klubi i Korinthians ka publikuar në faqen e vet të internetit.
Pato largohet nga Milani pas 5 viteve ku ka shënuar 63 gola në 150 ndeshje, por ka qenë edhe pjesë e një serie të gjatë dëmtimesh që thuajse i kanë përgjysmuar karrierën te kuqezinjtë.
“Dua të përshëndes, po sidomos të falënderoj të gjithë”, ishin fjalët e sulmuesit pas zyrtarizmit të transferimit të tij. “Nga presidenti, deri te të gjithë personat me të cilët kam punuar këto vite te Milani. Shkoj në Brazil, te Korinthinas, për të pasur mundësinë të luaj me vazhdimësi. Por nuk do të jetë e lehtë të harroj Milanin. Jam dhe do të jem gjithmonë i lidhur me këtë fanellë, me ngjyrat e saj dhe sidomos me tifozët e saj”. (LajmeShqip.com)
Friday, 04 January 2013 09:36