Lusio është zyrtarisht një futbollist i Juventusit. Mbrojtësi brazilian, pasi ka përfunduar vizitat mjekësore në Torino, ka hedhur firmën në kontratën që e lidh me kampionët e Italisë deri më 30 qershor 2014. Ashtu siç përflitej, lojtari do të përfitojë 2.3 milion euro në sezon, ndërsa ka në kontratë edhe përfitime në formë bonusesh në bazë të sukseseve individuale dhe atyre të klubit.
“Interi? E kaluara mbetet e kaluar. Tani shoh përpara dhe dua t’i kthehem fitoreve. Do të vë në dispozicion të skuadrës dhe të gjithë tifozëve të mi të rinj të gjithë eksperiencën dhe cilësitë që kam, me objektivin për të ngjitur sa më lart Juventusin”.
“Kam gjithmonë uri për sukses, ashtu si skuadra për të cilën kam firmosur. Konte? Është një trajner që dëshiron shumë nga lojtarët, por mua më pëlqen gjithmonë të stërvitem në maksimum, pasi do të thotë se në ndeshje vuan më pak”, ishin fjalët e para të brazilianit si futbollist i Juventusit.
Bardhezinjtë kanë qenë klubi më aktiv në merkato duke siguruar firmën e shumë lojtarëve të rëndësishëm ku përveç Lusio, pjesë e skuadrës për sezonin e ardhshëm janë edhe Xhovinko, Isla, Asamoah, Leali e Pogba. (LajmeShqip.com)
Thursday, 05 July 2012 10:01