Klarens Sedorf është zyrtarisht një futbollist i Botafogos. Zyrtarizmi ka mbërritur nga vetë skuadra braziliane e cila ka publikuar një njoftim në faqen e internetit të klubit për të treguar lajmin që përflitej prej shumë kohësh në ambientet sportive.
Interesimi për këtë ngjarje ka qenë aq i madh, sa faqja ka kaluar në tilt prej numrit të madh të përdoruesve që janë përpjekur ta hapin njëkohësisht për të mësuar më shumë rreth transferimit të futbollistit holandez.
Lojtari ka zgjedhur në këtë mënyrë të udhëtojë drejt vendlindjes së bashkëshortes, pasi është i martuar me brazilianen Luviana, e cila është një tifoze e zjarrtë e skuadrës së Botafogos dhe ka qenë ajo që e ka shtyrë të zgjedhë këtë klub për të mbyllur karrierën. Çifti është pronar edhe i një shtëpie në zonën pranë Rio De Zhaneiros, ku gjendet ky klub dhe shpesh kanë kaluar aty pushimet.
Pritet që holandezi të nënshkruajë për dy vite më ekipin brazilian, i cili ka fituar vetëm dy herë titullin kampion në Brazil dhe me këtë përforcim kërkon të tentojë një tjetër sukses.
“Kjo është blerja më e rëndësishme e një futbollisti të huaj nga një klub brazilian në historinë e futbollit”, shkruhet në komunikatën për shtyp të shfaqur në faqen e Botafogos. (LajmeShqip.com)
Sunday, 01 July 2012 12:30