Gallatasaraj ka zyrtarizuar blerjen e Didier Drogba nga radhët e Shangai Shenhua në një kontratë prej 1 viti e gjysmë. Lajmërimi për transferimin e lojtarit pritej gjatë gjithë ditës, por vetëm gjatë pasdites ka qenë klubi turk që ka njoftuar se ka mbyllur gjithçka me fituesin e Ligës së Kampioneve në edicionin e kaluar, duke e bindur që të transferohet në Stamboll.
“Klubet e mëdha mund të arrijnë objektiva më të rëndësishëm kur i vendosin ato”, tha presidenti i klubit, Unal Aisal, duke komentuar këtë transferim.
“Drogba na tha se është i lumtur të luajë për një klub të madh si Gallatasaraj në të ardhmen. Ai është takuar me trajnerin tonë dhe vendosi të bashkohej me Gallatasarajin”.
Futbollisti nga Bregu i Fildishtë do të përfitojë 2 milion euro për pjesën e mbetur të sezonit 2012-2013, ndërsa 4 milion euro të tjera për sezonin 2013-2014. Megjithatë, në kontratën e tij është përfshirë një bonus prej 15 mijë eurosh për çdo ndeshje që do të luajë me skuadrën turke, ndërsa nuk është bërë ende e ditur se sa është bonusi për golat e shënuar apo objektivat e arritur me skuadrën.
Lojtari do t’i bashkohet skuadrës turke sapo të përfundojë Kupa e Kombeve të Afrikës që po zhvillohet në Afrikën e Jugut. Ai është blerja e dytë e rëndësishme e janarit për klubin turk, pasi pak ditë më parë, kësaj skuadre iu bashkua edhe mesfushori holandez, Uesli Shnajder. (LajmeShqip.com)
Monday, 28 January 2013 21:10