Roman Abramoviç i ka vënë sot para Roberto Di Mateos kontratën dyvjeçare që e bën atë zyrtarisht trajnerin e Çelsit. Italiani drejtonte ekipin si “i përkohshëm” që pas largimit të Andre Vijas Boas, por duke patur shumë sukses pasi udhëhoqi këtë skuadër drejt fitores së Ligës së Kampioneve e Kupës FA.
Për çudi, Di Mateo ka marrë dy tituj njëkohësisht me detyrën e re, pasi është caktuar “trajner i skuadrës së parë” dhe “menaxher” i ekipit, që do të thotë se tani e tutje, dy detyrat do të jenë të ndara nga njëra tjetra në klubin londinez dhe për momentin italiani po i mbulon të dyja.
“Sigurisht që jam i lumtur që jam caktuar menaxher dhe trajner i ekipit të parë. Ne të gjithë arritëm një sukses të jashtëzakonshëm sezonin e kaluar duke shkruar historinë e këtij klubi. Qëllimi ynë është të vazhdojmë ndërtimin e skuadrës, gjë të cilën jam duke e planifikuar prej kohësh dhe po pres me padurim kthimin e lojtarëve për fazën përgatitore”, tha Di Mateo pas publikimit të lajmit.
Ky vendim duket se i ka dhënë fund ëndrrës së Roman Abramoviç për të sjellë në drejtimin e klubit spanjollin Pep Guardiola dhe me sa duket të paktën për sezonin e ardhshëm duhet të kënaqet me trajnerin italian, me shpresën që magjia e këtij të fundit të vazhdojë dhe të përsëritë suksesin e edicionit që sapo përfundoi. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 13 June 2012 19:05