Aleks Ferguson, nga sezoni i ardhshëm do të ndjekë ndeshjet e futbollit nga tribuna VIP, pasi nuk do të jetë më trajneri i Mançester Junajtid por një prej drejtuesve të këtij klubi. Lajmi që është përhapur fillimisht si thashethem në darkën e të martës, është konfirmuar nga vetë klubi anglez me një lajmërim zyrtar që mbyll 27 vitet e lavdishme të skocezit në drejtimin e kësaj skuadre.
“Trajneri më i suksesshëm në historinë e futbollit anglez do të largohet pas ndeshjes së fundit të sezonit ndaj Uest Bromuiç me 19 maj për t’u bërë pjesë në bordin e klubit të futbollit”, shkruhet në lajmërimin e publikuar sot në faqen ë internetit të klubit anglez, ku ka edhe në deklaratë të shkurtër të vetë teknikut skocez.
“Vendimi për t’u tërhequr është një prej atyre që e kam menduar për një kohë të gjatë dhe tani mendoj se është momenti i duhur. Ishte e rëndësishme për mua të lija një organizim sa më të mirë të mundshëm dhe mendoj se e kam bërë një gjë të tillë. Cilësia e kësaj skuadre që fitoi titullin dhe ekuilibrimi i moshave brenda saj, përputhet me idenë e suksesit në nivelet më të larta për një kohë të gjatë. Duke parë përpara, jam i lumtur që do të marr rolet e Drejtorit dhe Ambasadorit në klub dhe pres me padurim atë që do të sjellë e ardhmja”, ishte deklarata e lëshuar nga tekniku i “djajve të kuq”, i cili me ndeshjen e 19 majit, do të regjistrojë atë numër 1500 në drejtimin kësaj skuadre. Në një periudhë kaq të gjatë, ai ka arritur të fitojë 13 tituj kampion në Angli, 2 Liga Kampionesh, 5 Kupa FA dhe 1 Kupë Kupash.
Ndonëse klubi nuk ka lëshuar asnjë deklaratë zyrtare për zëvendësuesin e tij, mendohet se kandidati më i mundshëm është një tjetër skocez, Devid Mojes, i cili në 11 sezonet e fundit ka drejtuar me sukses Evertonin. Megjithatë, në orët e fundit ka dalë në skenë edhe emri i Zhoze Murinjos, i cili ka ndërprerë bisedimet me Çelsin sapo ka mësuar se Ferguson do të largohet në fund të këtij sezoni. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 08 May 2013 12:23