Boksieri shqiptar, Nuri Seferi, ka treguar se kundërshtari i tij për ndeshjen e 18 shtatorit, Damir Belo, ka kërkuar anulimin e meçit. Kjo kërkesë e tij e ka nervozuar tej mase Seferin, i cili i është drejtuar Belos se do ta shpartallojë në mes të Bosnjës.
“Të dashur miq sot pas një bisede të gjatë me menaxherin tim Erol Caylan më konfirmoi se kundërshtari im, Damir Belo, me çdo kusht kërkon që t’i largohet dyluftimit tim në ndeshjen e 18 shtatorit në Mostar”.
“Duke pasur parasysh se Damir Belo asnjëherë nuk ka pasur një kundërshtar të nivelit tim dhe duke qenë një boksier edhe frikacak tani ai kërkon që të anulojë ndeshjen e shtatorit, që unë çdo dit jam duke u stërvitur intensivisht dhe për mua padyshim që është ndeshja më e rëndësishme për të ardhmen e karrierës sime”.
“Nuk e kuptoj se si është e mundur një boksier që pretendon të bëhet kampion bote në të ardhmen dëshiron që me çdo kusht t’i ikë dyluftimit ndaj meje për të cilën ndeshje ne kemi një kontratë profesionale dhe zotohemi që do t’i shkojmë deri në fund”.
“Jam i gatshëm t’ju shpartalloj në mes të Bosnjës, Damir Belo. Besoj në kualitetin tim dhe në stërvitjet që jam duke kryer dhe të premtoj që nata e 18 shtatorit do të jetë një tmerr i vërtetë për juve dhe titullin e Evropës në versionin ËBO do ta kthej në folenë e tij për të katërtën herë brenda këtyre viteve”.
“Bëhu burrë dhe eja të boksojmë le të shikojnë të gjithë një spektakël boksi dhe t’i tregojmë vlerat tona. Unë pa asnjë pikë dyshimi pranova që të boksoj para shtëpisë tënde në Mostar, pasi frika nuk bën pjesë në karakterin tim”.
“Ti e di shumë mirë se boksierët më të fuqishëm të kategorisë sime i kam sfiduar në shtëpitë e tyre dhe ndoshta e ke parë më mirë se në çfarë mënyre kanë përfunduar ndeshjet”.
“Andaj shihemi në ring Damir Belo, e sa i përket ndeshjes do jetë një surprizë e këndshme për ty, do të vij e do të tregoj se boksi nuk është për një frikacak si ti”, shkruan në postimin e Tysonit shqiptar në Facebook.
Tuesday, 25 August 2015 11:34