Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit ka pranuar se Zinedin Zidan është një kandidat që në të ardhmen të drejtojë Francën, ndonëse nuk do të jetë ai zëvendësuesi i Loran Blank në pankinën e “gjelave”.
Zidan mban një status legjendar në këtë vend pasi udhëhoqi kombëtaren drejt Botërorit 1998 dhe Euro 2000, ndërsa aktualisht luan rolin e drejtorit sportiv te Real Madrid.
40 vjeçari aktualisht po studion që të diplomohet në menaxhim sportiv në Limozh dhe presidenti i FFF, Noel Le Graet, beson se ai ka gjithçka që duhet për të drejtuar ekipin kombëtar.
“Është një gjë fantastike që Zinedin Zidan ka shprehur dëshirën për të punuar nga afër me ekipin kombëtar të Francës në të ardhmen dhe nëse nuk është e mundur që tani, ai ëndërron që në 10 vitet e ardhshme të marrë drejtimin e saj si trajner”.
“Ai na ka konfirmuar se është gati të marrë licencën e trajnerit duke studiuar në qendrën tonë kombëtare të Klerfonten”, konfirmoi Le Graet.
Pas largimit të Loran Blank, FFF është ende në kërkim të një zëvendësuesi, me Didier Deshamp që vazhdon të shihet si kandidati më i mundshëm. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 04 July 2012 08:01