Zinedin Zidan dhe Arsen Venger kanë deklaruar se kanë mbetur të mahnitur nga paraqitja e Zlatan Ibrahimoviç përballë Anglisë në miqësoren e të mërkurës, ku ai shënoi 4 gola dhe i katërti ishte me një goditje roveshatë të jashtëzakonshme nga distanca.
“Ibrahimoviç është një lojtar i jashtëzakonshëm. Nuk arrita asnjëherë në karrierën time të shënoja 4 gola në një ndeshje”, tha Zidan. “Ishte një paraqitje fantastike. Gjuajtja e tij me roveshatë ishte shumë spektakolare”, tha Zidan për sulmuesin.
I të njëjtit mendim është edhe Venger, i cili ka folur për këtë gol në faqen e klubit të Arsenalit.
“Besoj se të gjithë kemi mbetur të mahnitur. Me raste, kur një futbollist gjuan nga distanca dhe dërgon topin në trekëndësh, të gjithë themi se është një gol i mrekullueshëm. Një lojtar mendon se një gjë e tillë është e realizueshme, ndonëse është e pamundur që të bëhet në vazhdimësi”.
“Por kur ai shënoi një gol të tillë, ti fillon të mendosh se është e pamundur që një gjë e tillë të përsëritet nga një atlet normal. Duhet të jesh një atlet i jashtëzakonshëm që ta bësh një gjë të tillë. Thuhet që Ibra është një mjeshtër në kung-fu, kjo shihej qartë të mërkurën. Të duhet fleksibilitet i veçantë, përgatitje dhe forcë fizike për të bërë një gjë të tillë, përveç faktit se duhet të kuptosh atë që je duke bërë”, tha Venger, i cili zbuloi se e kishte parë Ibrahimoviç kur ishte vetëm 16 vjeç.
“Ai erdhi të shihte fushat e stërvitjes së Arsenalit. Nuk donte të bënte teste me ne sepse ishte 16 vjeç asokohe. Ai u kthye në shtëpi dhe ne menduam që të ardhmen ta shihnim përsëri, pasi luante me Malmoen. Më pas ai zgjodhi Ajaksin”. (LajmeShqip.com)
Friday, 16 November 2012 17:24