Sulmuesi i kombëtares franceze, Olivier Zhirud, ka treguar se menaxheri i tij është në bisedime me Bajern Mynih për një transferim të mundshëm te finalistët e Ligës së Kampioneve të këtij edicioni.
Arsenali dhe Liverpuli kanë shfaqur interesim për lojtarin e Montpelje, i cili vlerësohet 65 milion euro nga pronari i ekipit francez, Luis Nikolin.
Në realitet, ylli i ri i kampionatit francez pritet të kushtojë rreth 20 milionë euro, por cilado qoftë shuma që do paguhet për të, Zhirud është thuajse i larguar, sidomos për faktin se do të jetë protagonist me kombëtaren gjatë Euro 2012.
“Unë personalisht nuk kam patur biseda direkte me Bajern Mynih, por menaxheri im po”, ka treguar për “Bild” lojtari që ka shënuar 21 gola në këtë sezon me fanellën e skuadrës së tij në kampionatin francez.
“Ish-lojtarët francezë të Bajern Mynih, Biksent Lizarazu dhe Uilli Sanjol, flasin për eksperienca pozitive që kanë kaluar në Mynih. Të gjithë lojtarët më kanë treguar gjithmonë se sa miqësisht janë pritur, sa të lumtur kanë qenë dhe sa mirë janë trajtuar në këtë skuadër”.
Bajern është vënë në kërkim të një sulmuesi pasi kroati Ivica Oliç ka nënshkruar një kontratë me Volfsburgun për sezonin e ardhshëm, duke lënë Mario Gomez dhe Nils Petersen si të vetmet alternativa të repartit të avancuar për skuadrën që drejtohet nga Jup Heinkes. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 09 May 2012 17:07