Shpërthejnë problemet në radhët e skuadrës së Zenit Shën Petersburg, ku objekt i polemikave është bërë sulmuesi brazilian Hulk. Lojtari i blerë nga Porto për 40 milion euro, ka ngjallur zilinë e shokëve të tij të skuadrës, të cilët kanë protestuar për rrogën e lartë që përfiton ai.
Kapiteni Denisov, tashmë edhe kapiten i kombëtares ruse, ka qenë i pari që ka kërkuar publikisht rritjen e rrogës së tij, duke ulur vlerën e lojtarit të blerë nga kampionët e Rusisë në javën e parë të shtatorit.
“Do ta kisha kuptuar nëse do të kishim marrë Mesi apo Iniesta – ata me shumë mundësi e meritojnë çdo shifër. Po, ne blemë lojtarë të mirë të cilët do ta ndihmojnë Zenitin. Por a janë ata aq më të mirë se liderët aktualë të skuadrës sa të meritojnë trefishin e rrogës?”, ishte komenti që bëri mesfushori 28 vjeçar.
Menjëherë pas kësaj deklarate, si Denisov, ashtu edhe sulmuesi Kerzhakov, që kishte mbështetur publikisht idetë e shokut të skuadrës duke kërkuar edhe ai rritjen e rrogës, u pezulluan nga ekipi dhe përfunduan me skuadrën e të rinjve. Mendohet se edhe pjesëtarë të tjerë të skuadrës si portieri Malafeev e mbrojtësi Bistrov të jenë të të njëjtit mendim, duke vënë në vështirësi drejtuesit e klubit.
Hulk përfiton rreth 9 milion euro në sezon në kontratën që ka nënshkruar me Zenit, ndërsa i dyti në listën e më të paguarve është pikërisht Denisov, me 6.54 milion euro në sezon. Lojtari e cilëson normale kërkesën e tij për rritjen e rrogës, duke patur parasysh se ka qenë pjesë e rëndësishme e Zenit në vitet e fundit duke e ndihmuar të fitojë titullin kampion në Rusi. (LajmeShqip.com)
Monday, 24 September 2012 16:01